Dr. Jonida Xhyra-Entorf: Përkthimi me gojë

Përkthimi me gojë

Ju kërkoni një interprete profesioniste?

Profesioni i interpretit, duke përfshirë këtu mënyrat e ndryshme të përkthimit konsekutiv apo simultan, nuk është i mbrojtur ligjërisht dhe për fat të keq jo rrallë bien në sy përkthime që nxjerrin në pah një sërë mangësish cilësore, duke filluar qysh nga zgjedhjet pa vend të fjalëve, fjalitë e pakuptueshme e më së fundi deri te gabimet kuptimore.

Në kuadrin gjithëpërfshirës të globalizimit, në një moment të punës suaj, në drejtime dhe fusha nga më të ndryshmet, ju keni nevojë për sigurinë e një komunikimi të zhdërvjellët shqip-gjermanisht apo gjermanisht-shqip, të një komunikimi pa keqkuptime dhe moskuptime. Për një siguri të tillë ju kërkoni profesionalitet dhe përvojë, dikë që i zotëron të dyja gjuhët, që mund të transferojë lirisht dhe me saktësi atë që thuhet, në varësi të lëmisë dhe kontekstit në të dyja kahet, dikë që zotëron jo vetëm teknikat e përkthimit, por përkthen duke marrë parasysh njëkohësisht edhe ndryshimet kulturore në të dyja drejtimet, për të shmangur kësisoj vështirësitë kuptimore që mund të lindin prej tyre.

Etika profesionale, betimi i bërë si përkthyese zyrtare e licencuar dhe detyrimi ligjor për ruajtjen e sekretit profesional përbëjnë bazën e diskrecionit në punën time, kur është fjala për datat dhe të dhënat private. Të jeni të bindur që unë nuk e shpërdoroj mirëbesimin tuaj dhe i përmbahem rreptësisht ruajtjes së sekretit profesional gjatë punës sime.

Çfarë ofroj unë në punën time si interprete?

  • Kontakt të drejtpërdrejtë, pa ndërlikimet burokratike që sjell një agjenci.
  • Kombinim tepër frytdhënës të kompetencës gjuhësore dhe shkencore edhe në zotërimin e ndryshimeve dialektore të shqipes. Duke e pasur shqipen gjuhë nëne unë ofroj një kualifikim të gjerë me diplomim universitar në Shqipëri dhe Gjermani, si dhe doktorim në Universitetin Ludwig-Maximilian të Mynihut.
  • Përkthim të përshtatshëm edhe të lëmive të specializuara, falë dijes profesionale dhe kompetencës hulumtuese.
  • Dije të gjerë lidhur me strukturat e ndryshme në fushën e administratës, drejtësisë e shëndetësisë në Gjermani, Shqipëri dhe Kosovë.
  • Komunikim gjithëpërfshirës, duke marrë parasysh pikërisht ndryshimet ndërkulturore në të dy kahet për të shmangur kësisoj keqkuptimet dhe moskuptimet.
  • Përvojë 25-vjeçare pune si interprete për kombinimet shqip dhe gjermanisht në të gjitha fushat, deri edhe me delegacione dhe vizita personalitetesh shtetërore të nivelit të lartë.
  • Pasurim në vijim të kompetencës profesionale përmes kualifikimeve të vazhdueshme, pjesëmarrjes nëpër tubime shkencore si dhe qëndrimeve të herëpashershme në Shqipëri e Kosovë.
  • Punë parapërgatitore lidhur me dokumentacionin shoqërues gjatë përkthimit (p.sh. programe, fjalime, parashtrime, broshura etj.), në mënyrë që rezultati të jetë optimal.

Çfarë përkthimesh ofroj unë dhe për kë?

  • Seanca gjyqësore, marrje në pyetje dhe anketime të dëshmitarëve, p.sh. për organet e drejtësisë dhe të policisë.
  • Komunikim personal me organet e shëndetësisë, të shërbimit social apo ato të integrimit për të huajt (p.sh. biseda mjek-pacient, ekzaminime psikologjike, biseda orientuese për kurse gjuhe dhe punësim etj.).
  • Diskutime, biseda, marrëveshje, shoqërim delegacionesh si dhe fjalime nëpër konferenca apo aktivitete të këtij lloji p.sh. për ndërmarrje e firma të ndryshme, ministri dhe organe qeveritare.
  • Kualifikime, biseda të specializuara, parashtrime projektesh dhe produktesh, ekspozita, programe trajnimi, p.sh. për shoqata dhe firma të ndryshme.
  • Biseda personale për probleme të jetës së përditshme për persona privatë.

Cilat forma të përkthimit me gojë ofroj unë?

  • Përkthim konsekutiv: përkthimi vijon në pushimet ndërmjet pjesëve të bisedës dhe biseduesve.
  • Përkthim simultan: përkthimi kryhet paralelisht pa ndërprerje gjatë bisedës.
  • Përkthim konferencial për disa pjesëmarrës në konferenca të ndryshme, përfshirë këtu dhe small talk-un gjatë pushimeve.
  • Përkthim shoqërues nëpër udhëtime, vizita të ndryshme tek mjeku apo nëpër ente të ndryshme.
  • Përkthim me zë të ulët edhe në mungesë të pajisjeve teknike.
  • Përkthim bisedash dhe seancash.
  • Përkthim në telefon.
  • Përkthim me video-thirrje duke ofruar për këtë shërbim skype-n si një sistem shumë të përhapur ose cisco-n si një sistem me cilësi më të lartë.

Unë kam përkthyer ndër të tjera për ente të ndryshme të BE-së, Zyrën Presidenciale Bavareze, për ministri të ndryshme të landeve, ato federale si dhe të tilla në Kosovë e Shqipëri, për Gjykata të Shkallës së Parë dhe të Dytë të landeve të ndryshme, prokurori në Gjermani dhe Shqipëri, organe të ndryshme të policisë, burgjeve, doganave, policisë doganore, për Zyrën Federale të Refugjatëve, për noteri, ente të financës, të shërbimit social e mjekësor, klinika private dhe spitale, për zyra të gjendjes civile, Radiotelevizionin Bavarez, për organe të Ushtrisë Federale, për përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës, për sindikata të ndryshme etj.

Përkthimi me video-thirrje

Me ndihmën e pajisjeve përkatëse teknike, që ofrojnë një linjë të sigurtë (me kriptim nga fundi në fund) dhe me kusht që të përmbushen të gjitha direktivat e rëndësishme lidhur me mbrojtjen e të dhënave unë mund të përshtatem shumë shpejt në kohë dhe në sisteme të ndryshme duke ofruar përkthim edhe me video-thirrje.

Gjatë një bisede paraprake konkrete lidhur me kërkesën tuaj ju mund të bindeni për cilësinë e punës që ju ofroj.

Gjuha shqipe

Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane. Ajo krijon brenda familjes së gjuhëve indoevropiane një degë të veçantë dhe nuk ka lidhje prejardhjeje me asnjërën nga gjuhët e tjera të kësaj familjeje.

Ku flitet sot shqip?

Gjuha shqipe flitet sot nga afërsisht gjashtë milion njerëz. Shqip flitet jo vetëm në Republikën e Shqipërisë por edhe në Republikën e Kosovës, në perëndim e veriperëndim të Republikës ish-jugosllave të Maqedonisë, në jugperëndim të Serbisë, në pjesën juglindore të Malit të Zi si dhe në krahinën e Çamërisë, në veriperëndim të Greqisë. Përveç kësaj shqip flitet edhe në kolonitë e krijuara në periudhën e vonë bizantine dhe në atë osmane në Greqi dhe në Italinë e Jugut. Duhet thënë se shqipja që flitet këtu është një gjuhë arkaike e cila në rrjedhën e kohës ka pësuar ndikime të forta prej greqishtes e italishtes.

Dialektet e shqipes

Gjuha shqipe ndahet në dy dialekte kryesore, në dialektin gegë dhe atë toskë. Si kufi gjeografik për dy dialektet shërben lumi Shkumbin në Shqipërinë e Mesme. Në veri të tij, pra në Shqipërinë e Veriut, në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi flitet gegërisht, ndërsa në jug të tij, në Greqi dhe në Italinë e Jugut flitet toskërisht. Dy dialektet kryesore dallohen në aspektin fonologjik e leksikor prej njëri-tjetrit dhe përfshijnë brenda tyre shumë variante dialektore.

Standardizimi i gjuhës shqipe u vendos në Kongresin e Drejtshkrimit në vitin 1972. Ky standardizim paraqet një kompromis midis dy dialekteve, i cili vazhdon të ekzistojë edhe sot. Gjuha letrare shqipe përmban në fonetikë e gramatikë kryesisht elemente të toskërishtes veriore dhe dëshmon në fushën e leksikut elemente të shumta të dialektit gegë.