Mësimi i gjuhës

Për arsye nga më të ndryshmet ju keni vendosur të mësoni shqip ose gjermanisht dhe dëshironi që mësimi t’u përshtatet nevojave tuaja personale?

Arsyet për të mësuar një gjuhë të huaj mund të jenë private ose profesionale, por për çdo rast mësimi i saj ndikon në cilësinë e komunikimit, duke rritur kësisoj në mënyrë të ndjeshme shanset për t’u integruar brenda një shoqërie. Në kushtet e zhvillimit europian gjermanishtja po e forcon përherë e më shumë pozitën e saj si gjuhë e huaj. Nga ana tjetër një integrim në Europë nuk mund të mendohet pa marrë parasysh shumëgjuhësinë dhe kulturat rajonale europiane, të cilat deri para pak kohësh ishin pak ose aspak të njohura. Kjo perspektivë përforcon dhe pozitën e gjuhës shqipe brenda kuadrit europian.

    Çfarë ofroj unë për mësimin e gjuhëve shqip dhe gjermanisht?

    • Arsimim shkencor dhe didaktik në nivel akademik për të dyja gjuhët dhe në të dy vendet si dhe mbrojtjen e doktoratës në shkencat filologjike në Universitetin „Ludwig-Maximilian” të Mynihut.
    • Përvojë disavjeçare në universitete të ndryshme europiane, në institucione për arsimimin e mëtejshëm të të rriturve si dhe në shkolla të ndryshme private për mësimin e gjuhëve të huaja.
    • Përvojë 25 vjeçare në mësimdhënie për fëmijë dhe të rritur.
    • Inkuadrimin e kompetencës së nevojshme ndërkulturore në mësimdhënie
    • Mundësinë e mësimit individual ose në grupe.
    • Kurse në nivel fillestar apo të përparuar ose në nivele të ndërmjetme.
    • Rifreskim dhe organizim të njohurive të fituara më parë.
    • Mësimdhënie të përshtatur individualisht në përmbajtje, vëllim dhe denduri.
    • Përmirësim të kompetencës së folur përmes kurseve bashkëbiseduese.
    • Parapërgatitje për kurset e integracionit dhe teste të niveleve të ndryshme, duke qenë e licencuar si mësuese për gjermanishten si gjuhë e dytë e huaj pranë BAMF-it (http://www.bamf.de) dhe si testuese pranë Telc-ut (http://www.telc.net/) për nivelet A2-B1, B1-B2 si dhe B2-C1 për mjekësi/infermieri.
    • Kurse parapërgatitore për nxënës që kanë zgjedhur shqipen si gjuhë të dytë të huaj, duke qenë e angazhuar pranë Ministrisë Bavareze të Kulturës si testuese për njohuritë e shqipes në këtë nivel dhe për këtë grupmoshë.

    Si është i organizuar konkretisht mësimi për gjuhët përkatëse?

    Mësimi është i konceptuar si një gërshetim i njohurive aktive dhe pasive, duke mundësuar kësisoj edhe përcjelljen e njohurive gramatikore bazë deri në masën e duhur për një komunikim të kuptueshëm e të pavarur. Përvoja e gjatë në mësimdhënie më lejon që individualisht të përdor dhe të kombinoj në mësim sipas niveleve përkatëse materiale të marra nga libra të ndryshëm për mësimin e gjuhëve shqip dhe gjermanisht, të bëj përshtatjen dhe riorganizimin e tyre, për më tepër kur është fjala për mësimin e gjuhës shqipe, për mësimin e së cilës materialet didaktike janë të pakta. Nga ana tjetër përdorimi i mediave bashkëkohore, i pashmangshëm dhe i mundur për të gjithë në kohën e sotme, e lehtëson ndjeshëm organizimin e mësimit. Përzgjedhja e teksteve dhe autorëve bëhet duke pasur parasysh aspektet kulturore dhe historike për të dyja vendet, në mënyrë që përmes gjuhës të mundësohet një dije e përgjithshme për kulturat përkatëse, duke i mëshuar kështu kompetencës kulturore, aq të rëndësishme për një komunikim të përshtatshëm.

    Mësimi online

    Mësimi online ofron fleksibilitet dhe është i përshtatshëm si për fillestarë ashtu edhe për të përparuar, që synojnë përvetësimin apo thellimin e njohurive gjuhësore. Mësimdhënia e organizuar online lejon përcjelljen e njohurive përmes mediave moderne interaktive, duke ofruar komoditetin e një komunikimi që është i pavarur nga largësitë kilometrike. Edhe kjo formë e mësimdhënies mund të përshtatet sipas dëshirës në formën e një bashkëbisedimi, si organizim kritik i njohurive të fituara më parë apo si punë me tekste të përzgjedhura mbi bazën e materialeve të konceptuara prej meje. Përmbajtja e kursit dhe denduria e tij u përshtaten konkretisht nevojave individuale e synimeve të interesentëve (qofshin këta individë apo grupe).

    Komunikimi funksionon via Skype (https://www.skype.com/), Zoom (https://www.zoom.us/) ose sipas dëshirës vizualisht përmes videos. Përmes integrimit të funksionit chat ose të whiteboard-it mund të përfshihet në mësim dhe të shkruarit e korrigjimi përkatës.

    Cila formë mësimi është e përshtatshme për mua?

    Ju lutem më telefononi, në mënyrë që të kem mundësinë t’ju këshilloj konkretisht dhe individualisht.