Dr. Jonida Xhyra-Entorf: Përkthyese dhe mësuese për gjuhët shqip dhe gjermanisht
 

Gjuha shqipe


Verbreitung der albanischen Sprache

Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane. Ajo krijon brenda familjes së gjuhëve indoevropiane një degë të veçantë dhe nuk ka lidhje prejardhjeje me asnjërën nga gjuhët e tjera të kësaj familjeje.

Gjuha shqipe flitet sot nga afërsisht gjashtë milion njerëz. Shqip flitet jo vetëm në Republikën e Shqipërisë por edhe në Kosovë, në perëndim e veriperëndim të Republikës ish-jugosllave të Maqedonisë, në jugperëndim të Serbisë, në pjesën juglindore të Malit të Zi si dhe në krahinën e Çamërisë, në veriperëndim të Greqisë. Përveç kësaj shqip flitet edhe në kolonitë e krijuara në periudhën e vonë bizantine dhe në atë osmane në Greqi e Italinë e Jugut. Duhet thënë se shqipja që flitet këtu është një gjuhë arkaike e cila në rrjedhën e kohës ka pësuar ndikime të forta prej greqishtes e italishtes.

Gjuha shqipe ndahet në dy dialekte kryesore, në dialektin gegë e atë toskë. Si kufi gjeografik për dy dialektet shërben lumi Shkumbin në Shqipërinë e Mesme. Në veri të tij, pra në Shqipërinë e Veriut, në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi flitet gegërisht, ndërsa në jug të tij, në Greqi dhe në Italinë e Jugut flitet toskërisht. Dy dialektet kryesore dallohen në aspektin fonologjik e leksikor prej njëri-tjetrit dhe përfshijnë brenda tyre shumë variante dialektore.

Standardizimi i gjuhës shqipe u vendos në Kongresin e Drejtshkrimit në vitin 1972. Ky standardizim paraqet një kompromis midis dy dialekteve, i cili vazhdon të ekzistojë edhe sot. Gjuha letrare shqipe përmban në fonetikë e gramatikë kryesisht elemente të toskërishtes veriore dhe dëshmon në fushën e leksikut elemente të shumta të dialektit gegë.