Dr. Jonida Xhyra-Entorf: Përkthyese dhe mësuese për gjuhët shqip dhe gjermanisht
 

Kushtet e përgjithshme të porosisë për përkthime me shkrim, me gojë dhe për mësimin e gjuhës (të vlefshme prej datës 01.09.2006)

1.

Fusha e zbatimit

(1)

Këto kushte pune vlejnë për kontrara të lidhura ndërmjet PËRKTHYESES së autorizuar e të betuar, zonjës Dr. Jonida Xhyra-Entorf (më poshtë PËRKTHYESI) nga njëra anë, dhe porositësit nga ana tjetër, për sa kohë që nuk është rënë në ujdi në mënyrë të qartë për diçka tjetër ose nuk është paracaktuar nga ana ligjore në mënyrë të domosdoshme diçka tjetër.

(2)

Kushtet e përgjithshme të biznesit nga ana e porositësit janë për PËRKTHYESIN të detyrueshme vetëm kur ai i ka pranuar ato në mënyrë të qartë dhe me shkrim.

(3)

Kushtet e përgjithshme të biznesit janë të disponueshme gjithashtu në gjuhët shqip dhe anglisht. Në rast se përkthimi shqip ose anglisht lejon mosmarrëveshje, si i vlefshëm merret teksti i plotë i versionit gjermanisht.

2.

Volumi i përkthimit me shkrim

(1)

Përkthimi do të kryhet me kujdes sipas parimeve të ushtrimit të rregullt të profesionit. Porositësi merr në dorëzim përkthimin e përgatitur sipas një marrëveshje kontraktuale.

(2)

Përkthimet i përgjigjen origjinalit në përmbajtje, stil dhe formë, pa përmirësim të këtyre veçorive gjatë përkthimit (p.sh. pa ndryshime redaktoriale). Përkthimi bëhet vetëm mbi bazën e teksteve në origjinal të vëna në dispozicion nga porositësi duke marrë parasysh sipas gjasave informacionin sqarues të ofruar prej tij. Në qoftë se porositësi nuk i ka bashkangjitur kërkesës së tij një material shoqërues ose udhëzime të veçanta lidhur me termat e specialitetit, ato do të përkthehen në variantin leksikor të përgjithshëm e të përfaqësuar aktualisht ose në versionin e përgjithshëm të kuptueshëm.

(3)

Për vërtetimin zyrtar të dokumenteve duhet të paraqitet origjinali i dokumentit që do të përkthehet.

3.

Volumi i përkthimit me gojë dhe i mësimdhënies

(1)

Përkthimi do të kryhet me kujdes sipas parimeve të ushtrimit të rregullt të profesionit. Përkthimi do të bëhet pa shtuar dhe pa hequr asgjë. Ndërkohë sipas rastit mund të jenë të domosdoshme shpjegime, të cilat janë të rëndësishme për të kuptuarit e mëtejshëm.

(2)

Mësimdhënia do t. i përshtatet grupit përkatës dhe do të kryhet sipas metodave të ushtruara tashmë me efektivitet. Kohëzgjatja e mësimit përfshin të paktën dy njësi mësimore me nga 45 minuta secila, për sa kohë që nuk është rënë në ujdi për diçka tjetër.

4.

Detyra e porositësit në lidhje me ndihmesën dhe informacionin nga ana e tij

(1)

Porositësi duhet ta vërë në dijeni PËRKTHYESIN jo më vonë se pas dhënies së porosisë për format e dëshiruara të realizimit të përkthimit (për qëllimin e përdorimit, për mënyrën e dorëzimit lidhur me bartësit e informacionit, për numrin e ekzemplarëve, nëse përkthimi është gati për shtyp, për formën e jashtme të tij etj.) Nëse përkthimi është i parashikuar të shtypet, porositësi i jep në kohë PËRKTHYESIT një provakopje të tij para futjes në shtyp, në mënyrë që PËRKTHYESI të mund të mënjanojë gabimet e mundshme. Emrat dhe shifrat duhet të verifikohen nga porositësi.

(2)

Porositësi i vë në dispozicion PËRKTHYESIT qysh me dhënien e porosisë edhe Informacionet e materialin shoqërues të cilat nevojiten për përkthimin me shkrim ose me gojë (terminologji e fjalorthë që zotëron porositësi, ilustrime, vizatime, tabela, shkurtime, nocione specifike etj.).

(3)

PËRKTHYESI nuk mban përgjegjësi materiale dhe ligjore për gabimet dhe zvarritjet të cilat lindin nga dërgimi me vonesë ose i pamjaftueshëm i materialit informativ dhe udhëzues.

(4)

Porositësi merr përsipër përgjegjësinë ligjore për të drejtat në një tekst dhe garanton mundësinë e përkthimit të tij. Ai e çliron PËRKTHYESIN nga pretendimet përkatëse të një të treti.

5.

Të drejtat e porositësit në rast mangësish

(1)

PËRKTHYESI i rezervon vetes të drejtën e mënjanimit të mangësive. Porositësi ka fillimisht vetëm të drejtë të pretendojë mënjanimin e mangësive që mund të ketë përkthimi.

(2)

Ngritja e pretendimeve për mënjanimin e mangësive nga ana e porositësit duhet të bëhet vetëm duke i vënë në pah ato prej këtij të fundit në mënyrë të përpiktë

(3)

Nëse PËRKTHYESI nuk i mënjanon mangësitë e vëna në pah brenda një afati të përshtatshëm ose e refuzon mënjanimin e mangësive ose mënjanimi i mangësive gjykohet si i pasuksesshëm, atëherë porositësi pas një diskutimi me marrësin e porosisë angazhon me shpenzimet e këtij të fundit një PËRKTHYES tjetër për të mënjanuar mangësitë ose sipas dëshirës porositësi kërkon zbritjen e shpërblimit ose heqjen dorë nga kontrata. Mënjanimi i mangësive gjykohet si i pasuksesshëm nëse edhe pas disa përpjekjeve për korrigjim përsëri përkthimi paraqet mangësi.

(4)

PËRKTHYESI nuk mban përgjegjësi për mangësitë në përkthim të cilat rrjedhin nga pasazhe të lexuesshme me vështirësi, me gabime ose të paplota të tekstit burimor ose nga një terminologji me gabime apo e gabuar e përdorur nga vetë klienti.

(5)

PËRKTHYESI nuk mban përgjegjësi për mangësitë në përkthimin me gojë, të cilat rrjedhin nga një artikulim i keq, nga një përdorim i theksuar dialektor ose nga një terminologji e përdorur me gabime apo në mënyrë jo korrekte.

(6)

Për afatet dhe datat e dorëzimit të porosisë bihet në ujdi qysh në dhënien e saj dhe ato janë të detyrueshme. Megjithatë vonesa nuk kalon në llogari të PËRKTHYESIT për sa kohë që kjo gjë ndodh si pasojë e një rrethane për të cilën ai nuk është përgjegjës. Nëse mosrespektimi i datës së dorëzimit të porosisë buron nga një forcë madhore, atëherë PËRKTHYESI është i përligjur të tërhiqet nga kontrata ose të kërkojë prej porositësit një zgjatje të afatit. Kjo shtyrje përjashton lindjen e të drejtave të tjera, veçanërisht pretendimeve për dëmshpërblime në të tilla raste. Gjatë ndryshimit të objektit të porosisë mund të bisedohet rishtas për afatet e dorëzimit dhe Honorare.

6.

Përgjegjësia ligjore

(1)

PËRKTHYESI mban përgjegjësi ligjore për pakujdesi të rëndë dhe kur vepron me paramendim. Dëmet që mund të shkaktohen nga defekte të kompjuterit, çrregullime të përçimit të rrymës gjatë dërgimit të e-mail-it ose nëpërmjet virusesh nuk llogariten si pakujdesi e rëndë. Për këtë qëllim PËRKTHYESI merr masa nëpërmjet programeve antivirus. Përgjegjësia ligjore për pakujdesi të lehtë vlen vetëm në rastin e shkeljes së detyrave kryesore.

(2)

Pretendimi i porositësi kundrejt PËRKTHYESIT për zhdëmtimin e një dëmi të shkaktuar sipas pikës 6 (4) kufizohet në shumën 5.000 EURO. Në raste të veçanta është e mundur të bihet në ujdi në mënyrë të qartë për një zhdëmtim më të lartë.

(3)

Përjashtimi ose kufizimi i përgjegjësisë ligjore sipas pikave 6 (1) dhe 6 (2) nuk vlen për dëme që i shkaktohen një përdoruesi nga lëndime të jetës, lëndime trupore dhe të shëndetit.

(4)

Pretendimet e porositësit kundrejt PËRKTHYESIT lidhur me mangësitë në përkthim (§ 634a BGB, Kodi civil gjerman) nuk janë të vlefshme nëse nuk bëhen të ditura brenda një viti qysh prej marrjes së përkthimit. Përjashtim bëjnë rastet kur ekzistojnë veprime mashtruese.

(5)

Përgjegjësia ligjore për dëmet që shkaktohen nga mangësitë në përkthim kufizohet brenda afatit njëvjeçar të vlefshmërisë ligjore në kundërshtim me paragrafin § 634a BGB (Kodi civil gjerman). Paragrafi § 202 Abs. 1 BGB (Kodi civil gjerman) mbetet i paprekur nga kjo gjë.

7.

Sekreti profesional

(1)

PËRKTHYESI është i detyruar të ruajë fshehtësinë për të gjitha faktet që i bëhen të njohura gjatë punës për porositësin.

8.

Ndihmesa e një të treti

(1)

PËRKTHYESI është i përligjur që në kryerjen e porosisë të angazhojë një bashkëpunëtor ose një person të tretë kompetent.

(2)

Lidhur me angazhimin e personave të tretë kompetentë PËRKTHYESI duhet të sigurojë që ata sipas pikës nr. 7 (1) të ruajnë fshehtësinë.

9.

Shpërblimi

(1)

Honorari i PËRKTHYESIT matet me volumin e përkthimit dhe llogaritet në bazë të numrit të rreshtave të normuar të tekstit fillestar. Nëse teksti fillestar nuk është i paraqitur në mënyrë elektronike, përllogaritja bëhet mbi bazën e tekstit të përkthyer. Si rresht i normuar vlen në hapësirën gjermanofolëse zakonisht një rresht me 55 shenja duke llogaritur brenda tyre edhe boshllëqet. Përllogaritja e rreshtave të normuar kryhet përmes një programi llogaritës internacional që përdoret nga PËRKTHYESIT. Të dhënat që dalin nga kjo përllogaritje janë për të dyja palët detyrimisht të pranueshme.

(2)

Llogaritja për përkthimin me gojë dhe për mësimdhënien bëhet mbi bazën e sasisë së orëve ose të ditëve.

(3)

Përveç honorarit PËRKTHYESI ka të drejtë të pretendojë që t. i paguhen edhe shpenzimet e tjera dhe për të cilat ai ka rënë dakord me porositësin. Në këto shpenzime llogariten ndër të tjera shpenzimet e udhëtimit sipas rregullave të legalizuara, ato për dërgimin e dokumenteve dhe ato për telefon e faks. Për përkthimet voluminoze PËRKTHYESI mund të kërkojë një paradhënie të përshtatshme. PËRKTHYESI mund të bjerë në ujdi me shkrim qysh më parë me porositësin që dorëzimi i punës të kushtëzojë dhe parapagimin e honorarit të tij të plotë.

(4)

Llogaritë e PËRKTHYESIT duhen paguar pa zbritje brenda 14 ditëvse pas datës së lëshimit të llogarisë.

(5)

Të gjitha çmimet kuptohen neto. Atyre u shtohet edhe taksa ligjore e vlerës së shtuar sipas legjislacionit gjerman.

(6)

Nëse për sasinë e honorarit nuk është rënë në ujdi, atëherë shpërblimi likuidohet në mënyrë të përshtatshme dhe si zakonisht sipas llojit dhe vështirësisë së punës së kryer. Ky shpërblim nuk bie nën shumat përkatëse të pranuara sipas ligjit gjerman të drejtësisë për shpërblimin dhe zhdëmtimin (JVEG).

10.

Rezervimi i pronës dhe e drejta e autorit

(1)

Përkthimi mbetet pronë e PËRKTHYESIT deri në pagesën e plotë. Deri atëherë porositësi nuk gëzon të drejtën e përdorimit.

(2)

PËRKTHYESI i rezervon vetes të drejtën e autorit që rezulton eventualisht nga përkthimi.

11.

E drejta e zbatuar

(1)

Për porosinë dhe të gjitha pretendimet që lindin prej saj vlen e drejta gjermane. Si gjykatë kompetente për pretendimet dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve merret ai i zonës në të cilën jeton PËRKTHYESI.

(2)

Forca vepruese e këtyre kushteve të porosisë nuk cënohet nga pavlefshmëria e nënpikave të veçanta. Të dyja palët janë të detyruara në këtë rast që ta zëvendësojnë ose ta plotësojnë nënpikën e pavlefshme ose të paplotë përmes formulimeve të përshtatshme, të cilat janë të ngjashme me të, përsa i përket forcës vepruese dhe synimit ekonomik të saj.